PËRGJIGJE: Festa Më e Madhe fillon pasdite vonë të ditës së trembëdhjetë të muajit të dytë të vitit sipas Bayán·it. Në ditën e parë, të nëntë e të dymbëdhjetë të kësaj feste, puna është e ndaluar.
2. PYETJE: Lidhur me Festën e Ditëlindjeve Binjake.
PËRGJIGJE: Lindja e Bukurisë Abhá ndodhi në agim të ditës së dytë të muajit të Muḥarram, dita e parë e të cilit shënon Lindjen e Lajmëtarit të Tij. Në sytë e Perëndisë këto dy ditë shihen si një e vetme.
3. PYETJE: Lidhur me Vargjet e Martesës.PËRGJIGJE: Për burrat: “Ne të gjithë, me të vërtetë, do t’i bindemi vullnetit të Perëndisë”. Për gratë: “Ne të gjitha, me të vërtetë, do t’i bindemi vullnetit të Perëndisë”.
4. PYETJE: Po qe se një burrë niset për udhëtim pa caktuar ndonjë kohë për kthimin e tij, me fjalë të tjera për periudhën që parashikohet të mungojë – dhe po qe se pas kësaj nuk dëgjohet ndonjë fjalë për të e humbet çdo gjurmë e tij, si duhet të veprojë e shoqja?
PËRGJIGJE: Po qe se ai ka lënë pa caktuar ndonjë datë për kthimin e tij, edhe duke qenë në dijeni të kushtit që vihet në Kitáb-i-Aqdas për këtë çështje, e shoqja duhet të presë plot një vit dhe pas kësaj do të jetë e lirë ose të mbajë qëndrimin e lavdërueshëm ose të marrë një burrë tjetër. Por në qoftë se ai nuk ka qenë në dijeni të këtij kushti, ajo duhet të presë me durim derisa Perëndisë t’i pëlqejë të zbulojë para saj fatin e të shoqit. Me qëndrim të lavdërueshëm për këtë nënkuptohet të pasurit durim.
5. PYETJE: Lidhur me vargun e shenjtë: “Kur dëgjuam britmën e fëmijëve ende të palindur, Ne e dyfishuam pjesën e tyre dhe e pakësuam atë të të tjerëve”.
PËRGJIGJE: Sipas Librit të Perëndisë, pasuria e të ndjerit ndahet në .520 njësi, numër që është shumëfishi më i vogël i përbashkët i të gjithë numrave të plotë deri në nëntë, dhe këto njësi ndahen pastaj në shtatë pjesë, çdonjëra prej të cilave i caktohet, siç përmendet në Librin, një kategorie të veçantë trashëgimtarësh. Fëmijëve, për shembull, u janë caktuar nëntë bloqe prej 60 njësish, që bëjnë gjithsej 540 njësi. Domethënia e frazës “Ne e dyfishuam pjesën e tyre” është, pra, që fëmijët marrin edhe nëntë bloqe të tjera prej 60 njësish, duke u dhënë të drejtën të marrin gjithsej 18 bloqe. Njësitë shtesë që ata marrin zbriten nga pjesët e kategorive të tjera të trashëgimtarëve, kështu që, edhe pse thuhet, për shembull, se së shoqes i jepen “tetë pjesë që përbëjnë katërqind e tetëdhjetë njësi”, që është e barabartë me tetë bloqe prej 60 njësish gjithsej, tani, falë këtij regullimi të ri, një blok e gjysmë njësish, gjithsej 90 njësi, janë zbritur nga pjesa e së shoqes dhe u janë dhënë fëmijëve, dhe po kështu për gjithë të tjerët. Përfundimi është se shuma e përgjithshme e zbritur është e barabartë me nëntë bloqet shtesë të njësive që u jepen fëmijëve.
6. PYETJE: A është e nevojshme që vëllai, për të pasur pjesë në trashëgim, të rrjedhë edhe nga Bábai edhe nga nëna e të ndjerit, apo është e mjaftueshme të ketë të përbashkët vetëm njërin prej prindërve?
PËRGJIGJE: Në qoftë se ai rrjedh nga Bábai, do të marrë pjesën e tij të trashëgimit në përmasën që përmbahet në Librin; por në qoftë se ai rrjedh nga nëna, do të marrë vetëm dy të tretat e asaj që përcaktohet, ndërsa një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë. Ky rregull është i zbatueshëm edhe për motrën.
7. PYETJE: Ndër ato që thuhen për trashëgiminë, është shkruar që po qe se i ndjeri nuk lë fëmijë, pjesa e pasurisë që do t’u takonte atyre i kalon Shtëpisë së Drejtësisë. Në rastin që edhe kategoritë e tjera të trashëgimtarëve, si Bábai, nëna, vëllai, motra e mësuesi, gjithashtu mungojnë, pjesët e tyre të trashëgimit i kalojnë edhe ato Shtëpisë së Drejtësisë, apo shpërndahen në ndonjë mënyrë tjetër?
PËRGJIGJE: Vargu i shenjtë e përmbush kërkesën. Ai thotë, lëvduar qoftë Fjala e Tij: “Poqe se i ndjeri nuk lë fëmijë, pjesa që do t’u takonte atyre i kalon Shtëpisë së Drejtësisë” etj. dhe “Po qe se i ndjeri lë fëmijë, por nuk lë asnjë nga të kategorive të tjera të trashëgimtarëve që janë specifikuar në Librin, ata (fëmijët) do të marrin dy të tretat e trashëgimit, ndërsa një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë” etj. Me fjalë të tjera, kur nuk ka fëmijë, pjesa e trashëgimisë që do t’u takonte atyre i kalon Shtëpisë së Drejtësisë; dhe kur ka fëmijë por mungojnë kategoritë e tjera të trashëgimtarëve, dy të tretat e trashëgimit u kalojnë fëmijëve, ndërsa një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë. Ky rregull ka si zbatime të përgjithshme dhe të posaçme, domethënë se kurdoherë që ndonjë kategori e kësaj klase të fundit trashëgimtarësh mungon, dy të tretat e trashëgimit të tyre u kalojnë fëmijëve dhe një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë.
8. PYETJE: Lidhur me shumën bazë për të cilën paguhet Ḥuqúqu’lláh.
PËRGJIGJE: Shuma bazë për të cilën paguhet Ḥuqúqu’lláh është nëntëmbëdhjetë mithqálë ar. Me fjalë të tjera, kur është fituar një shumë parash që i përgjigjet kësaj vlere, duhet paguar Ḥuqúqu’lláh. Po kështu, Hukuk paguhet kur vlera, jo numri, i formave të tjera të pronës arrin shumën e caktuar. Ḥuqúqu’lláh-u paguhet jo më shumë se një herë. Një person, për shembull, që fiton njëmijë mithqálë ar dhe paguan Hukuk-un nuk është i detyruar të bëjë më tej një pagesë të tillë për këtë shumë, por vetëm për atë që i shtohet asaj përmes tregtisë, zejeve e të tjera si këto. Kur kjo shtesë, pra fitimi që realizohet, arrin shumën e caktuar, njeriu duhet të bëjë atë që ka urdhëruar Perëndia. Vetëm kur krerët kalojnë në duar të tjera, i nënshtrohen edhe një herë pagimit të Hukuk-ut, si për herë të parë. Pika Parësore ka urdhëruar që Ḥuqúqu’lláh-u duhet paguar për çdo lloj pasurie që zotëron njeriu; por, në këtë Dispensacion Shumë të Fuqishëm, Ne i kemi përjashtuar orenditë shtëpiake, dmth ato orendi që janë të nevojshme, dhe vetë banesën.
9. PYETJE: Çfarë duhet të ketë përparësi: Ḥuqúqu’lláh-u, borxhet e të ndjerit apo shpenzimet e funeralit e të varrimit?
PËRGJIGJE: Funerali dhe varrimi kanë përparësi, pastaj vjen rregullimi i borxheve, dhe pastaj pagimi i Ḥuqúqu’lláh-ut. Po qe se pasuria e të ndjerit është e pamjaftueshme të mbulojë borxhet e tij, pjesa që mbetet nga prona e tij duhet të ndahet midis këtyre borxheve në përpjesëtim me madhësinë e tyre.
10. PYETJE: Rruarja e kokës është e ndaluar në Kitáb-i-Aqdas·in, por është urdhëruar në Súriy-i- Ḥajj.
PËRGJIGJE: Të gjithë e kanë për detyrë t’i binden Kitáb-i-Aqdas·it; çdo gjë e reveluar aty është Ligji i Perëndisë midis shërbëtorëve të Tij. Detyrimi që haxhilerët që shkojnë te Shtëpia e shenjtë duhet të rruajnë kokën është hequr.
11. PYETJE: Në rast se midis një çifti kryhen marrëdhënie intime gjatë vitit të tyre të durimit dhe pastaj ata përsëri largohen nga njëri-tjetri, a duhet ata ta rifillojnë vitin e tyre të durimit, apo ditët para këtyre marrëdhënieve intime përfshihen në llogaritjen e vitit? Dhe pasi është bërë shkurorëzimi, a është e nevojshme të ketë një periudhë të mëtejshme pritjeje?
PËRGJIGJE: Po qe se dashuria midis çiftit përtërihet gjatë vitit të tyre të durimit, lidhja martesore është në fuqi dhe duhet zbatuar ajo që urdhërohet në Librin e Perëndisë; por pasi është mbushur viti i durimit dhe ka ndodhur ajo që është dekretuar nga Perëndia, nuk kërkohet një periudhë e mëtejshme pritjeje. Gjatë vitit të durimit marrëdhëniet seksuale midis burrit e së shoqes janë të ndaluara dhe ai që e kryen këtë akt duhet të kërkojë ndjesë nga Perëndia e, si dënim, t’i paguajë Shtëpisë së Drejtësisë një gjobë prej nëntëmbëdhjetë mithqálësh ar.
12. PYETJE: Në rast se midis një çifti lind antipati pasi janë lexuar Vargjet e Martesës dhe është paguar prika, a mund të bëhet shkurorëzimi pa zbatimin e vitit të durimit?
PËRGJIGJE: Shkurorëzimi mund të kërkohet në mënyrë të ligjshme pas leximit të Vargjeve të Martesës dhe pagimit të prikës, por para se martesa të jetë konsumuar. Në këto rrethana nuk është nevoja të zbatohet viti i durimit, por rikthimi i pagesës së prikës nuk lejohet.
13. PYETJE: A është pëlqimi i prindërve nga të dyja palët një kërkesë e domosdoshme për martesën, apo është i mjaftueshëm pëlqimi i prindërve vetëm nga njëra palë? Ky ligj është i zbatueshëm vetëm për virgjëreshat apo edhe për të tjerat?
PËRGJIGJE: Martesa është e kushtëzuar nga pëlqimi për martesën i prindërve nga të dyja palët dhe lidhur me këtë nuk bëhet dallim nëse nusja është e virgjër ose jo.
14. PYETJE: Besimtarëve u është urdhëruar ta kthejnë fytyrën ndaj Kiblës kur thonë Lutjet e Detyrueshme; nga duhet të kthehen ata kur bëjnë lutje e devocione të tjera?
PËRGJIGJE: Kthimi i fytyrës ndaj Kiblës është një kërkesë e posaçme për thënien e lutjes së detyrueshme, ndërsa për lutje e devocione të tjera njeriu mund të ndjekë atë që Zoti i mëshirshëm ka reveluar në Kuran: “Ngado që të ktheheni, është fytyra e Perëndisë”.
15. PYETJE: Lidhur me kujtimin e Perëndisë në Mashrikul Azkar “në agim”.
PËRGJIGJE: Edhe pse fjalët “në agim” përdoren në Librin e Perëndisë, për Perëndinë është e pranue-shme në zbardhjen e agimit, midis agimit dhe lindjes së diellit, ose edhe deri në dy orë pas lindjes së diellit.
16. PYETJE: A është porosia që trupi i të vdekurit të mos çohet më larg se një orë rrugë si për bartjen në tokë dhe në det?
PËRGJIGJE: Kjo porosi ka të bëjë si me distancat në det dhe në tokë, qoftë kjo një orë larg me avullore ose me tren; synimi është një orë kohë, cilido qoftë mjeti i transportit. Sidoqoftë, sa më parë të bëhet varrimi, aq më e përshtatshme dhe e pranueshme është kjo.
17. PYETJE: Çfarë procedure duhet ndjekur kur gjenden sende të humbura?
PËRGJIGJE: Në qoftë se një send i tillë gjendet në qytet, gjetja e tij duhet lajmëruar një herë nga tellalli i qytetit. Në qoftë se pas kësaj pronari i sendit gjendet, sendi duhet t’i kthehet atij. Përndryshe, ai që e ka gjetur sendin duhet të presë një vit dhe, në qoftë se gjatë kësaj periudhe del në dritë pronari, gjetësi duhet të marrë prej tij pagesën e tellallit dhe t’i kthejë sendin e gjetur; vetëm në qoftë se kalon viti pa u gjendur pronari i sendit, ai që e ka gjetur atë mund ta mbajë për vete. Në qoftë se vlera e sendit të gjetur është më pak ose e barabartë me pagesën e tellallit, ai që e ka gjetur duhet të presë vetëm një ditë nga koha e gjetjes së sendit dhe pasi kalon ky afat, në qoftë se pronari nuk zbulohet, ta mbajë për vete sendin e gjetur; kurse në rastin e një sendi të gjetur në një zonë të pabanuar, gjetësi duhet të presë tri ditë dhe me kalimin e kësaj kohe, në qoftë se pronari mbetet i panjohur, është i lirë ta mbajë për vete atë që ka gjetur.
18. PYETJE: Përsa i përket avdesit: në qoftë se, për shembull, një person sapo ka larë gjithë trupin, a duhet ai megjithatë të marrë avdes?
PËRGJIGJE: Porosia përsa i përket avdesit duhet gjithsesi të zbatohet.
19. PYETJE: Në qoftë se një person ka në plan të emigrojë nga vendi i tij dhe e shoqja është kundër e mospajtimi përfundon në shkurorëzim, dhe në qoftë se përgatitjet për udhëtimin zgjasin më shumë se një vit, a mund të llogaritet kjo periudhë si një vit durimi, apo si fillim i këtij viti durimi duhet marrë dita që çifti ndahet?
PËRGJIGJE: Pikënisja për llogaritjen është dita që çifti ndahet, dhe në qoftë se ata janë ndarë një vit para nisjes së burrit dhe midis tyre nuk ka rilindur aroma e dashurisë, shkurorëzimi mund të bëhet. Përndryshe viti duhet llogaritur nga dita e nisjes së tij dhe kushtet e shpallura në Kitáb-i-Aqdas duhen zbatuar.
20. PYETJE: Për moshën e pjekurisë ndaj detyrimeve fetare.
PËRGJIGJE: Mosha e pjekurisë është pesëmbëdhjetë vjeç si për burrat dhe për gratë.
21. PYETJE: Lidhur me vargun e shenjtë “Kur jeni në udhëtim, në qoftë se ndaleni e pushoni në ndonjë vend të sigurt, bëni ... një përkulje deri në tokë në vend të çdo Lutjeje të Detyrueshme të pathënë...”
PËRGJIGJE: Kjo përkulje është si shpërblim për lutjen e detyrueshme të pabërë gjatë udhëtimit dhe për shkak rrethanash të pasigurta. Në rast se në kohën e lutjes udhëtari gjendet i qetë në një vend të sigurt, ai duhet ta bëjë lutjen. Kjo porosi lidhur me përkuljen si shpërblim për lutjen vlen qoftë në shtëpi dhe në një udhëtim.
22. PYETJE: Lidhur me përkufizimin e udhëtimit.PËRGJIGJE: Përkufizimi i një udhëtimi është nëntë orë sipas sahatit. Në qoftë se udhëtari ndalet në ndonjë vend, duke parashikuar të qëndrojë aty jo më pak se një muaj sipas llogaritjes së Bayán·it, ai është i detyruar ta mbajë Agjërimin; por në qoftë se qëndron më pak se një muaj, nuk është i detyruar të agjërojë. Në qoftë se në kohën e Agjërimit ai arrin në një vend ku do të qëndrojë një muaj sipas Bayán·it, atij nuk do t’i duhet të mbajë Agjërimin derisa të kalojnë tri ditë, duke e zbatuar atë pastaj gjatë gjithë kohës që ky vazhdon; por në qoftë se arrin në shtëpinë e vet, ku kishte pasur vendbanimin e tij të përhershëm, ai duhet ta fillojë agjërimin që të nesërmen e arritjes.
23. PYETJE: Lidhur me ndëshkimin për ata ose ato që kryejnë marrëdhënie intime jashtë kurore.
PËRGJIGJE: Për shkeljen e parë duhen paguar nëntë mithqálë, për të dytën tetëmbëdhjetë, për të tretën tridhjetë e gjashtë e kështu me radhë, duke qenë çdo gjobë dyfishi i së mëparshmes. Pesha e një mithqáli është e barabartë me nëntëmbëdhjetë nakhud·ë në pajtim me përcaktimin e Bayán·it.
24. PYETJE: Lidhur me gjuetinë.PËRGJIGJE: Ai thotë, lëvduar qoftë Ai: “Në qoftë se gjuani me kafshë ose shpendë grabitqarë” etj. Përfshihen edhe mjete të tjera, si harqe e shigjeta, pushkë dhe pajisje të ngjashme që përdoren për gjueti. Por po qe se përdoren çarqe e leqe, është e paligjshme të hahet gjahu që ngordh para se të kapet.
25. PYETJE: Lidhur me haxhillëkun.PËRGJIGJE: Është një detyrim të shkosh në haxhillëk në njërën prej dy Shtëpive të shenjta; por në cilën prej tyre, i takon atij që bën haxhillëk të vendosë.
26. PYETJE: Lidhur me prikën.PËRGJIGJE: Përsa i përket prikës, domethënia që të kënaqet me shifrën më të ulët është nëntëmbëdhjetë mithqálë argjend.
27. PYETJE: Lidhur me vargun e shenjtë: “Por, në rast se i vjen lajm për vdekjen ... e të shoqit” etj.
PËRGJIGJE: Përsa i përket të presë sa “të jetë plotësuar numri i caktuar i muajve”, me këtë kuptohet një periudhë prej nëntë muajsh.
28. PYETJE: Është bërë një pyetje tjetër lidhur me pjesën e trashëgimit që i takon mësuesit.
PËRGJIGJE: Po qe se mësuesi ka ndërruar jetë, një e treta e pjesës së tij të trashëgimit i kalon Shtëpisë së Drejtësisë dhe dy të tretat që mbeten i kalojnë fëmijëve të të ndjerit e jo fëmijëve të mësuesit.
29. PYETJE: Është bërë një pyetje tjetër lidhur me haxhillëkun.
PËRGJIGJE: Me haxhillëk në Shtëpinë e shenjtë, që u është vënë si detyrim njerëzve, nënkuptohet qoftë Shtëpia Më e Madhe në Bagdad, ashtu dhe Shtëpia e Pikës Parësore në Shiraz; një haxhillëk në njërën prej dy Shtëpive është i mjaftueshëm. Ata mund të shkojnë në haxhillëk në atë prej tyre që është më afër vendit ku jetojnë.
30. PYETJE: Lidhur me vargun: “dhe kush dëshiron të marrë në shërbim një shërbëtore, mund ta bëjë këtë në mënyrë të përshtatshme”.
PËRGJIGJE: Kjo vlen vetëm për shërbimet e kryera në shkëmbim të një page, si për çdo lloj tjetër shërbëtorësh, të rinj a të vjetër qofshin; një shërbëtore e tillë është e lirë të zgjedhë një bashkëshort kurdo që t’i pëlqejë, sepse është e ndaluar si që gratë të blihen dhe që një burrë të ketë më shumë se dy gra.
31. PYETJE: Lidhur me vargun e shenjtë: “Zoti... e ka ndaluar zakonin që ju ndiqnit më parë kur e ndanit tri herë një grua”.
PËRGJIGJE: Kjo i referohet ligjit që në të kaluarën kërkonte që një burrë tjetër të martohej me atë grua para se ajo të mund të rimartohej me burrin e mëparshëm; ky zakon është ndaluar në Kitáb-i-Aqdas.
32. PYETJE: Lidhur me restaurimin dhe ruajtjen e të dy Shtëpive në dy vendet binjake, si dhe në vendet e tjera ku është vendosur froni.
PËRGJIGJE: Me dy Shtëpitë nënkuptohen Shtëpia Më e Madhe dhe Shtëpia e Pikës Parësore. Përsa u përket vendndodhjeve të tjera, njerëzit e zonës ku janë këto mund të zgjedhin që të ruajnë çdo shtëpi në të cilën është vendosur froni ose vetëm njërën prej tyre.
33. PYETJE: Është bërë edhe një pyetje tjetër për trashëgiminë e mësuesit.
PËRGJIGJE: Po qe se mësuesi nuk është nga njerëzit e Bahá-it, ai nuk trashëgon. Në qoftë se ka disa mësues, kuota e tyre duhet ndarë në pjesë të barabarta. Në rast se mësuesi ka vdekur, fëmijët e tij nuk e trashëgojnë pjesën e tij, madje dy të tretat e kësaj pjese u kalojnë fëmijëve të pronarit të pasurisë dhe një e treta që mbetet i kalon Shtëpisë së Drejtësisë.
34. PYETJE: Lidhur me banesën që u është caktuar vetëm pasardhësve meshkuj.
PËRGJIGJE: Në qoftë se ka disa banesa, nënkuptohet ajo më e bukura e më fisnikja, të tjerat ndahen midis të gjithë trashëgimtarëve, si dhe çdo lloj tjetër prone. Çdo trashëgimtar, i cilësdo kategorie trashëgimtarësh qoftë, që është jashtë Besimit të Perëndisë, konsiderohet se nuk ekziston dhe nuk trashëgon.
35. PYETJE: Lidhur me Novruzin.PËRGJIGJE: Festa e Novruzit bie në ditën kur dielli hyn në shenjën e Dashit, edhe sikur kjo të ndodhë vetëm për jo më shumë se një minutë para perëndimit të diellit.
36. PYETJE: Në qoftë se përvjetori i dy Ditëlindjeve Binjake ose i Deklarimit të Báb·it bie gjatë muajit të agjërimit, ç’duhet bërë?
PËRGJIGJE: Në rast se festat e kremtimit të dy Ditëlindjeve Binjake ose të Deklarimit të Báb·it bien gjatë muajit të agjërimit, porosia për të agjëruar nuk zbatohet atë ditë.
37. PYETJE: Në urdhërat e shenjtë që qeverisin trashëgiminë, banesa dhe rrobat vetjake të të ndjerit u janë caktuar pasardhësve meshkuj. Kjo i referohet vetëm pronës së Bábait apo edhe asaj të nënës?
PËRGJIGJE: Rrobat e përdorura të nënës duhet të ndahen në pjesë të barabarta midis të bijave, por ajo që mbetet nga trashëgimia e saj, duke përfshirë prona, arturina dhe rroba të papërdorura, duhet ndarë midis të gjithë trashëgimtarëve të saj sipas mënyrës së reveluar në Kitáb-i-Aqdas. Por në rast se e ndjera nuk ka lënë bija, gjithë trashëgimia e saj duhet ndarë sipas mënyrës së caktuar për meshkujt në Tekstin e shenjtë.
38. PYETJE: Lidhur me shkurorëzimin, të cilit duhet t’i paraprijë një vit durimi: po qe se vetëm njëra prej të dy palëve është e prirur për pajtim, ç’duhet bërë?
PËRGJIGJE: Në pajtim me porosinë e reveluar në Kitáb-i-Aqdas, duhen kënaqur të dyja palët; në qoftë se nuk janë të gatshme të dyja palët, ribashkimi nuk mund të bëhet.
39. PYETJE: Lidhur me prikën, ç’duhet bërë në qoftë se dhëndri nuk mund ta paguajë gjithë shumën dhe në vend të kësaj, në kohën e ceremonisë së martesës i dorëzon formalisht nuses një zotim të shkruar, në kuptimin që ai do ta paguajë atë kur të jetë në gjendje?
PËRGJIGJE: Leja për të zbatuar këtë praktikë është dhënë nga Burimi i Pushtetit.
40. PYETJE: Në rast se gjatë vitit të durimit aroma e dashurisë përtërihet, por vetëm që të pasohet nga antipatia dhe çifti gjatë tërë vitit lëkundet midis dashurisë e neverisë, dhe viti përfundon me antipati, mund të bëhet apo jo shkurorëzimi?
PËRGJIGJE: Në çdo rast e në çdo kohë që lind antipatia, atë ditë fillon viti i durimit dhe ai duhet të kryhet tërësisht.
41. PYETJE: Banesa dhe rrobat vetjake të të ndjerit u janë caktuar fëmijëve meshkuj, jo femra, dhe as trashëgimtarëve të tjerë; po sikur i ndjeri të mos ketë lënë fëmijë meshkuj, ç’duhet bërë?
PËRGJIGJE: Ai, lëvduar qoftë, thotë: “Po qe se i ndjeri nuk lë fëmijë, pjesa që do t’u takonte atyre i kalon Shtëpisë së Drejtësisë...”. Në pajtim me këtë varg të shenjtë, banesa dhe rrobat vetjake të të ndjerit i kalojnë Shtëpisë së Drejtësisë.
42. PYETJE: Në Kitáb-i-Aqdas është reveluar urdhëresa për Ḥuqúqu’lláh-un. Banesa, me pajisjet përkatëse dhe orenditë e nevojshme, a përfshihet në pronën për të cilën paguhet Ḥuqúqu’lláh, apo jo?
PËRGJIGJE: Në ligjet e reveluara në gjuhën persishte Ne kemi urdhëruar që në këtë Dispensacion Shumë të Fuqishëm banesa dhe pajisjet shtëpiake të përjashtohen, domethënë ato pajisje që janë të nevojshme.
43. PYETJE: Lidhur me fejesën e një vajze para moshës së pjekurisë.
PËRGJIGJE: Ky zakon është shpallur i paligjshëm nga Burimi i Pushtetit, dhe është e paligjshme të lajmërohet një martesë më shumë se nëntëdhjetë e pesë ditë para dasmës.
44. PYETJE: Në qoftë se një person ka, për shembull, njëqind tumanë , paguan Hukuk-un për këtë shumë, humbet gjysmën e kësaj shume në transaksione të pafat dhe pastaj, përmes tregtisë, shuma që disponon barazohet me shumën për të cilën paguhet Hukuk, a duhet që ky person të paguajë Hukuk, apo jo?
PËRGJIGJE: Në një rast të tillë nuk duhet paguar Hukuk.
45. PYETJE: Në qoftë se pas pagimit të Hukuk-ut, po kjo shumë prej njëqind tumanësh humbet tërësisht dhe më pas rifitohet me tregti ose me punë afarizmi, a duhet paguar Hukuk-u për së dyti apo jo?
PËRGJIGJE: Edhe në këtë rast nuk kërkohet të paguhet Hukuk.
46. PYETJE: Në lidhje me vargun e shenjtë: “Perëndia ju ka porositur të martoheni”, është kjo një porosi e detyrueshme apo jo?
PËRGJIGJE: Nuk është e detyrueshme.47. PYETJE: Të supozojmë se një burrë është martuar me një grua, duke menduar se ajo është e virgjër, dhe i ka paguar asaj prikën, por gjatë kryerjes së aktit bëhet e qartë se ajo nuk është e virgjër, a duhen kthyer shpenzimet dhe prika, apo jo? Dhe në qoftë se martesa është bërë e kushtëzuar me virgjërinë, mospërmbushja e kushtit a e shfuqizon atë që ishte kushtëzuar me të?
PËRGJIGJE: Në një rast të tillë shpenzimet dhe prika mund të kthehen. Mospërmbushja e kushtit e shfuqizon atë që është e kushtëzuar me të. Por, në sytë e Perëndisë, mbulimi i kësaj gjëje dhe ndjesa për të meriton një shpërblim bujar.
48. PYETJE: “Juve ju është kërkuar të bëni një festë...”. Është kjo e detyrueshme apo jo?
PËRGJIGJE: Nuk është e detyrueshme.49. PYETJE: Lidhur me ndëshkimet për marrëdhënie intime jashtë kurore, pederastí e vjedhje dhe me shkallët e këtyre ndëshkimeve.
PËRGJIGJE: Përcaktimi i shkallëve të këtyre ndëshkimeve i takon Shtëpisë së Drejtësisë.
50. PYETJE: Lidhur me ligjshmërinë ose jo për t’u martuar me farefisin e vet.
PËRGJIGJE: Edhe këto çështje u takojnë të Besuarve të Shtëpisë së Drejtësisë.
51. PYETJE: Lidhur me avdesin, është reveluar: “Ai që nuk gjen ujë për avdes le të përsërisë pesë herë fjalët “Në emër të Perëndisë, Më të Kulluarit, Më të Kulluarit”: a është e lejuar të thuhet ky varg në rast të ftohti të madh, ose në qoftë se duart e fytyra janë të plagosura?
PËRGJIGJE: Në rast të ftohti të madh mund të përdoret ujë i ngrohtë. Në qoftë se fytyra dhe duart janë me plagë, ose ka arsye të tjera si dhimbje e vuajtje, për shkak të të cilave përdorimi i ujit mund të jetë i dëmshëm, në vend të avdesit mund të thuhet vargu përkatës.
52. PYETJE: A është e detyrueshme të thuhet vargu i reveluar për të zëvendësuar Lutjen e Shenjave?
PËRGJIGJE: Nuk është e detyrueshme.53. PYETJE: Lidhur me trashëgiminë, kur ka vëllezër e motra nga Bábai e nga nëna, edhe vëllezërit e motrat vetëm nga nëna marrin gjithashtu pjesë?
PËRGJIGJE: Këta nuk marrin asnjë pjesë.54. PYETJE: Ai, lëvduar qoftë, thotë: “Në rast se i biri i të ndjerit ka ndërruar jetë gjatë kohës që i ati jetonte dhe ka lënë fëmijë, ata trashëgojnë pjesën e atit të tyre...”. Ç’duhet bërë, në qoftë se e bija ka ndërruar jetë gjatë kohës që i ati jetonte?
PËRGJIGJE: Pjesa e saj e trashëgimit duhet ndarë midis të shtatë kategorive të trashëgimtarëve sipas porosisë së Librit.
55. PYETJE: Në qoftë se e ndjera është grua, kujt i jepet pjesa e trashëgimit “e së shoqes”?
PËRGJIGJE: Pjesa e trashëgimit “e së shoqes” i jepet të shoqit.
56. PYETJE: Lidhur me qefinin e trupit të të ndjerit, i cili është dekretuar të ketë pesë fletë: pesë fletët duan të thonë pesë copë pëlhura që janë përdorur zakonisht deri atëherë, apo pesë qefinë të plotë të mbështjellë njëri mbi tjetrin?
PËRGJIGJE: Nënkuptohet përdorimi i pesë copë pëlhurave.
57. PYETJE: Lidhur me mospërputhjet midis disa vargjeve të reveluara.
PËRGJIGJE: Shumë Tabela janë reveluar e dërguar në formën e tyre fillestare, pa i kontrolluar e rishikuar. Rrjedhimisht, sipas urdhërave të dhënë, ato janë rilexuar në Praninë e Shenjtë dhe janë sjellë në përputhje me rregullat gramatikore konvencionale të njerëzve, për t’u dalë përpara kleçkave të kundërshtarëve të Kauzës. Një shkak tjetër i kësaj praktike është konstatimi se stili i ri i futur nga Lajmëtari, u bëfshin fli për hir të Tij të gjithë shpirtrat veç të Vetit, karakterizohej nga një liri e theksuar në respektimin e rregullave gramatikore; prandaj, për të lehtësuar të kuptuarit dhe për saktësi në të shprehur, janë reveluar pastaj vargje në një stil që në një pjesë të madhe është në pajtim me përdorimin e zakonshëm.
58. PYETJE: Lidhur me vargun e bekuar: “Kur jeni në udhëtim, në qoftë se ndaleni e pushoni në ndonjë vend të sigurt, bëni ... një përkulje deri në tokë në vend të çdo Lutjeje të Detyrueshme të pathënë”: a është kjo një zëvendësim për Lutjen e Detyrueshme të pabërë për shkak të rrethanave të pasigurta, apo gjatë udhëtimeve Lutja e Detyrueshme pezullohet krejtësisht dhe zëvendësohet me përkuljen?
PËRGJIGJE: Në qoftë se kur vjen ora e lutjes së detyrueshme nuk ka siguri, sapo arrin në një mjedis të sigurt duhet bërë një përkulje deri në tokë në vend të çdo Lutjeje të Detyrushme që ka mbetur pa bërë dhe, pas përkuljes së fundit, duhet ulur këmbëkryq dhe të lexohet vargu përkatës. Por në qoftë se ka vend të sigurt, lutja e detyrueshme nuk është pezulluar gjatë udhëtimeve.
59. PYETJE: Po qe se, kur një udhëtar është ndalur e po çlodhet, është koha e lutjes së detyrushme, ai duhet të bëjë lutjen apo në vend të saj të bëjë pëkuljen?
PËRGJIGJE: Me përjashtim të rrethanave të pasigurta, mosbërja e Lutjes së Detyrueshme nuk lejohet.
60. PYETJE: Në qoftë se, duke lënë pa bërë disa Lutje të Detyrueshme, janë të nevojshme disa përkulje, a duhet përsëritur vargu pas çdo përkuljeje zëvendësuese, apo jo?
PËRGJIGJE: Është e mjaftueshme të thuhet vargu përkatës pas përkuljes së fundit. Kryerja e disa përkuljeve nuk kërkon përsëritje të veçantë të vargut për çdo përkulje.
61. PYETJE: Në qoftë se lihet pa bërë një Lutje e Detyrueshme në shtëpi, a duhet kompensuar ajo me një përkulje, apo jo?
PËRGJIGJE: Në përgjigje të pyetjeve të mëparshme, është shkruar: “Kjo porosi lidhur me përkuljen zëvendësuese për lutjen vlen qoftë në shtëpi dhe në një udhëtim”.
62. PYETJE: Në qoftë se avdesi është kryer për qëllime të tjera dhe vjen ora e lutjes së detyrueshme, a është ky avdes i mjaftueshëm apo duhet përsëritur?
PËRGJIGJE: Ky avdes është i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë që ai të përsëritet.
63. PYETJE: Në Kitáb-i-Aqdas është urdhëruar një lutje e detyrueshme me nëntë rakahë, që duhet bërë në mesditë, në mëngjes e në mbrëmje, por duket se Tabela e Lutjeve të Detyrueshme ndryshon nga kjo.
PËRGJIGJE: Ajo që është reveluar në Kitáb-i-Aqdas ka të bëjë me një tjetër Lutje të Detyrueshme. Disa vite më parë, disa porosi të Kitáb-i-Aqdas·it, duke përfshirë atë Lutje të Detyrueshme, për arsye urtie u regjistruan më vete dhe u dërguan bashkë me shkrime të tjera të shenjta, me qëllim për t’i ruajtur e mbrojtur. Më pas u reveluan këto tri Lutje të Detyrueshme.
64. PYETJE: Në llogaritjen e kohës, a është e lejueshme të mbështetesh në orë e kohëmatës?
PËRGJIGJE: Është e lejueshme të mbështetesh në orë e kohëmatës.
65. PYETJE: Në Tabelën e Lutjeve të Detyrueshme janë reveluar tri lutje; a kërkohet që ato të bëhen të tria, apo jo?
PËRGJIGJE: Është urdhëruar të bëhet njëra prej këtyre tri lutjeve; cilado që të bëhet mjafton.
66. PYETJE: A është avdesi i lutjes së mëngjesit i vlefshëm edhe për atë të mesditës? Dhe po kështu, a është avdesi i kryer në mesditë i vlefshëm edhe në mbrëmje?
PËRGJIGJE: Avdesi lidhet me Lutjen e Detyrueshme për të cilën kryhet dhe duhet përsëritur për çdo lutje.
67. PYETJE: Lidhur me Lutjen e Gjatë të Detyrueshme, kërkohet të qëndrosh në këmbë dhe “të kthehesh ndaj Perëndisë”. Kjo duket se tregon që nuk është e nevojshme ta kthesh fytyrën drejt Kiblës; a është kështu apo jo?
PËRGJIGJE: Nënkuptohet Kibla.68. PYETJE: Lidhur me vargun e shenjtë: “Thuajini vargjet e Perëndisë çdo mëngjes e mbrëmje”.
PËRGJIGJE: Nënkuptohet gjithçka që është dërguar nga Qielli i Fjalës Hyjnore. Kërkesa e parë është etja dhe dashuria e shpirtrave të shenjtëruar për të lexuar Fjalën e Perëndisë. Është e parapëlqyer të lexohet vetëm një varg, ose edhe një fjalë e vetme, në një frymë gëzimi e rrëzëllimi, sesa të studiohen shumë Libra.
69. PYETJE: A mundet një person, kur bën testamentin, të japë për vepra bamirësie një pjesë të pasurisë së tij, tej asaj që duhet për pagimin e Ḥuqúqu’lláh-ut dhe për rregullimin e borxheve, apo ka të drejtë vetëm të caktojë një shumë për të mbuluar shpenzimet e funeralit e të varrimit, në mënyrë që pjesa tjetër e trashëgimit të ndahet midis kategorive të caktuara të trashëgimtarëve, siç është përcaktuar nga Perëndia?
PËRGJIGJE: Secili gëzon të drejta të plota mbi pasurinë e vet. Në qoftë se ai është në gjendje ta përballojë Ḥuqúqu’lláh-un dhe nuk ka borxhe, atëherë çdo gjë e shkruar në testamentin e tij dhe çdo deklarim ose pohim që përmbahet aty është i pranueshëm. Me të vërtetë, Perëndia e ka lejuar të bëjë çfarë të dojë me atë që i ka dhuruar atij.
70. PYETJE: Përdorimi i unazës së varrimit është urdhëruar vetëm për të rriturit apo edhe për të miturit?
PËRGJIGJE: Është vetëm për të rriturit. Edhe Lutja për të Vdekurit është për të rriturit.
71. PYETJE: Në qoftë se një njeri dëshiron të agjërojë në një kohë tjetër nga muaji i ‘Alá’, a është e lejuar kjo, apo jo; dhe në qoftë se ai është kushtuar ose zotuar për një agjërim të tillë, a është kjo e vlefshme dhe e pranueshme?
PËRGJIGJE: Porosia për agjërimin është ashtu siç ka qenë reveluar tashmë. Por në qoftë se një njeri kushtohet t’i ofrojë Perëndisë një agjërim, duke kërkuar kështu plotësimin e një dëshire, ose për të realizuar ndonjë qëllim tjetër, kjo është e lejuar tani, siç ka qenë edhe më parë. Është, sidoqoftë, dëshira e Perëndisë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, që kushtimet e zotimet të synojnë drejt objektivash që i sjellin dobi njerëzimit.
72. PYETJE: Është bërë edhe një pyetje tjetër lidhur me banesën dhe rrobat vetjake: në mungesë të fëmijëve meshkuj, a duhet t’i kalojnë këto Shtëpisë së Drejtësisë, apo duhen ndarë si pjesa tjetër e trashëgimit?
PËRGJIGJE: Dy të tretat e banesës e të rrobave vetjake u kalojnë fëmijëve femra dhe një e treta Shtëpisë së Drejtësisë, të cilën Perëndia e ka bërë arkën e popullit.
73. PYETJE: Në qoftë se pas plotësimit të vitit të durimit burri refuzon të lejojë shkurorëzimin, ç’rrugë duhet të ndjekë gruaja?
PËRGJIGJE: Kur periudha ka përfunduar, shkurorëzimi kryhet. Por është e nevojshme të ketë dëshmitarë të fillimit e të përfundimit të kësaj periudhe, që mund të thirren për të dëshmuar në rast se lind nevoja.
74. PYETJE: Lidhur me përcaktimin e pleqërisë.PËRGJIGJE: Për arabët kjo nënkupton kufirin e skajshëm të pleqërisë, por për njerëzit e Bahá-it ajo nis nga mosha shtatëdhjetë vjeç.
75. PYETJE: Lidhur me kufirin e agjërimit për atë që udhëton në këmbë.
PËRGJIGJE: Kufiri është caktuar dy orë. Në qoftë se kjo tejkalohet, është e lejuar të ndërpritet Agjërimi.
76. PYETJE: Lidhur me mbajtjen e Agjërimit nga njerëz që bëjnë punë të rëndë gjatë muajit të agjërimit.
PËRGJIGJE: Këta njerëz janë të shkarkuar nga të agjëruarit; por, në shenjë respekti ndaj ligjit të Perëndisë dhe për arsye të karakterit të lartësuar të Agjërimit, është shumë e lavdërueshme dhe e përshtatshme të hanë me përkore dhe jo në sy të të tjerëve.
77. PYETJE: Avdesi që merret për Lutjen e Detyrueshme a mjafton edhe për përsëritjen nëntëdhjetë e pesë herë të Emrit Më të Madh?
PËRGJIGJE: Nuk është e nevojshme që avdesi të përsëritet.
78. PYETJE: Lidhur me rrobat dhe arturinat që burri mund të ketë blerë për të shoqen: pas vdekjes së tij, a duhen ndarë ato midis trashëgimtarëve të tij, apo janë të rezervuara për të shoqen?
PËRGJIGJE: Me përjashtim të rrobave të përdorura, çdo gjë që mund të ketë, si arturina e të tjera, i takojnë burrit, veç atyre që është provuar se kanë qenë dhurata për të shoqen.
79. PYETJE: Lidhur me kriterin e drejtësisë kur duhet provuar ndonjë gjë në bazë të dëshmisë së dy dëshmitarëve të drejtë.
PËRGJIGJE: Kriteri i drejtësisë është nami i mirë që gëzon midis njerëzve. Dëshmia e të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë, të çdo besimi a bindjeje qoftë, është e pranueshme para Fronit të Tij.
80. PYETJE: Në qoftë se i ndjeri nuk ka përmbushur detyrimin e tij për Ḥuqúqu’lláh-un, as ka paguar borxhet, a duhen zgjidhur këto duke zbritur përpjesëtimisht nga banesa, rrobat vetjake dhe nga pjesa tjetër e trashëgimit, apo banesa dhe rrobat vetjake duhen lënë mënjanë për fëmijët meshkuj dhe pastaj borxhet të paguhen nga pjesa tjetër e pasurisë? Dhe në qoftë se pjesa tjetër e pasurisë nuk është e mjaftueshme për këtë qëllim, si do të paguhen borxhet?
PËRGJIGJE: Borxhet dhe pagesat e papaguara të Hukuk-ut duhet të paguhen nga ajo pjesë e pasurisë që mbetet, por në qoftë se kjo është e pamjaftueshme për këtë qëllim, ajo që mungon duhet të plotësohet duke marrë nga banesa dhe rrobat vetjake.
81. PYETJE: Lutja e tretë e Detyrueshme duhet thënë duke qëndruar në këmbë apo ulur?
PËRGJIGJE: Është e parapëlqyer e më e përshtatshme të qëndrohet në këmbë në një pozë nderimi të përunjur.
82. PYETJE: Lidhur me Lutjen e parë të Detyrueshme është urdhëruar: “duhet bërë në çastin që njeriu e ndien veten në një gjendje përunjësie e adhurimi të ethshëm”: a duhet bërë kjo një herë në njëzet e katër orë, apo më shpesh?
PËRGJIGJE: Një herë në njëzet e katër orë është e mjaftueshme; kjo është thënia e shqiptuar nga Gjuha e Urdhërit Hyjnor.
83. PYETJE: Lidhur me përcaktimin e “mëngjesit”, “mesditës” dhe “mbrëmjes”.
PËRGJIGJE: Këto janë lindja e diellit, mesdita dhe perëndimi. Kohët e lejuara për Lutjet e Detyrueshme janë nga mëngjesi deri në mesditë, nga mesdita deri në perëndim të diellit dhe nga perëndimi i diellit deri dy orë pas tij. Pushteti është në dorë të Perëndisë, Bartësit të Dy Emrave.
84. PYETJE: A është e lejuar për një besimtar të martohet me një jobesimtare?
PËRGJIGJE: Është e lejuar qoftë të japësh qoftë të marrësh kurorë; kështu ka dekretuar Zoti kur u ngjit në fronin e bujarisë e të dashamirësisë.
85. PYETJE: Lidhur me Lutjen për të Vdekurit: duhet bërë para apo pas varrimit? Dhe a është e detyrueshme të kthehet fytyra ndaj Kiblës?
PËRGJIGJE: Kjo lutje duhet bërë para varrimit; përsa i përket Kiblës: “ngado që të ktheheni, është fytyra e Perëndisë”.
86. PYETJE: Në mesditë, që është koha e dy prej Lutjeve të Detyrueshme – e asaj të shkurtër të mesditës dhe e asaj që duhet bërë në mëngjes, mesditë e mbrëmje – a është e mevojshme në këtë rast që të merret dy herë avdes, apo mjafton një herë?
PËRGJIGJE: Përsëritja e marrjes avdes nuk është e nevojshme.
87. PYETJE: Lidhur me prikën për banorët e fshatrave, që duhet të jetë në argjend: me këtë nënkuptohet dhëndri, nusja, apo të dy? Dhe ç’duhet bërë nëse njëri prej tyre banon në qytet e tjetri në fshat?
PËRGJIGJE: Prika përcaktohet nga vendbanimi i dhëndrit; në qoftë se ai banon në qytet, prika është në ar, në qoftë se banon në fshat, është në argjend.
88. PYETJE: Cili është kriteri për të përcaktuar kush banon në qytet e kush në fshat? Në qoftë se një banor i qytetit merr shtëpi në një fshat, ose një që banon në fshat merr shtëpi në qytet, duke pasur ndërmend të vendoset atje përgjithmonë, cili rregull zbatohet? A është vendlindja faktori përcaktues?
PËRGJIGJE: Kriteri është vendbanimi i përhershëm dhe, në varësi se ku ndodhet ai, urdhëri i Librit duhet zbatuar në pajtim me këtë.
89. PYETJE: Në Tabelat e shenjta është reveluar se kur një person fiton një shumë të barabartë me nëntëmbëdhjetë mithqálë ar, ai duhet të paguajë të Drejtën e Perëndisë për këtë shumë. A mund të shpjegohet se ç’shumë prej këtyre nëntëmbëdhjetëve duhet të paguajë ai?
PËRGJIGJE: Porosia e Perëndisë është nëntëmbë-dhjetë mbi njëqind. Llogaritja duhet bërë mbi këtë bazë. Kështu mund të përcaktohet çfarë shume detyrohet mbi nëntëmbëdhjetë.
. PYETJE: Kur pasuria e ndonjërit i kalon nëntëmbëdhjetë, a është e nevojshme që ajo të shtohet në nëntëmbëdhjetë të tjera para se Hukuk-u të duhet të paguhet përsëri, apo ai duhet paguar për çdo shtesë?
PËRGJIGJE: Çdo shumë që i shtohet nëntë¬mbë-dhjetës përjashtohet nga Hukuk-u derisa të arrijë në nëntëmbëdhjetë të tjera.
90. PYETJE: Lidhur me ujin e pastër dhe me kufirin në të cilin ai konsiderohet i përdorur.
PËRGJIGJE: Sasi të vogla uji, si një tas, ose edhe dy a tre, duhen konsideruar të përdorura pas një larje të vetme të fytyrës e të duarve. Por një kurr ose më shumë ujë mbetet i pandryshuar pas një ose dy larjesh të fytyrës dhe nuk ka kundërshtim për ta përdorur, veçse po të ketë pësuar ndryshim në njërën prej tri mënyrave, për shembull të ketë ndryshuar ngjyrë, dhe në këtë rast duhet konsideruar i përdorur.
91. PYETJE: Në një traktat në gjuhën persishte për çështje të ndryshme, mosha e pjekurisë është caktuar pesëmbëdhjetë vjeç; a kushtëzohet edhe martesa me arritjen e pjekurisë, apo lejohet edhe më parë?
PËRGJIGJE: Duke qenë se në Librin e Perëndisë kërkohet pëlqimi i të dyja palëve dhe duke qenë se para pjekurisë pëlqimi ose mungesa e tij nuk mund të jenë të sigurta, martesa kushtëzohet, pra, me arritjen e moshës së pjekurisë dhe para kësaj kohe nuk lejohet.
92. PYETJE: Lidhur me agjërimin dhe lutjen e detyrueshme nga ana e të sëmurëve.
PËRGJIGJE: Në të vërtetë, Unë them se në sytë e Perëndisë lutja e detyrueshme dhe agjërimi zenë një vend të lartësuar. Por vlera e tyre mund të shprehet në një gjendje shëndetësore të mirë. Në kohë sëmundjeje nuk është e lejueshme të zbatohen këto detyrime; ky ka qenë gjithmonë urdhëri i Zotit, u madhëroftë lavdia e Tij. Lum burrat e gratë që u vënë veshin e i zbatojnë porositë e Tij. Lëvduar qoftë Perëndia, Ai që ka dërguar vargjet dhe është Reveluesi i provave të padyshimta.
93. PYETJE: Lidhur me xhamitë, kishëzat e tempujt.
PËRGJIGJE: Çdo gjë që është ndërtuar për adhurimin e Perëndisë së vërtetë Që është Një, siç janë xhamitë, kishëzat e tempujt, nuk duhet përdorur për ndonjë qëllim tjetër veç përkujtimit të Emrit të Tij. Ky është urdhër i Perëndisë dhe ai që e shkel atë është ndër ata që kanë bërë mëkat. Asgjë e keqe nuk do t’i ndodhë atij që e ka ndërtuar, sepse ai e ka kryer këtë vepër për hir të Perëndisë dhe ka marrë e do të vazhdojë të marrë shpërblimin e duhur.
94. PYETJE: Lidhur me pajisjet e një vendi pune, të nevojshme për të ushtruar një veprimtari ose profesion: a i nënshtrohen ato pagimit të Ḥuqúqu’lláh-ut, apo i përfshin i njëjti rregull si dhe pajisjet shtëpiake?
PËRGJIGJE: Ato i përfshin i njëjti rregull si dhe pajisjet shtëpiake.
95. PYETJE: Lidhur me pronat e ruajtura nën kujdestari që shkëmbehen me para ose me forma të tjera prone, për t’i mbrojtur nga shvlerësimi ose humbja.
PËRGJIGJE: Përsa i përket pyetjes me shkrim lidhur me pronat e ruajtura nën kujdestari për t’i mbrojtur ato nga shvlerësimi e humbja, një shkëmbim i tillë është i lejuar me kusht që zëvendësimi të jetë i barabartë në vlerë. Zoti yt është, me të vërtetë, Shpjeguesi, i Gjithëdijshmi, dhe Ai është vërtet Urdhëruesi, i Lashti i Kohëve.
96. PYETJE: Lidhur me larjen e këmbëve në dimër dhe në verë.
PËRGJIGJE: Është njëlloj në të dy rastet; është i parapëlqyer uji i ngrohtë, por nuk ka kundërshtim edhe për të ftohtin.
97. PYETJE: Një pyetje tjetër për shkurorëzimin.PËRGJIGJE: Duke qenë se Perëndia, u madhëroftë lavdia e Tij, nuk e përkrah shkurorëzimin, asgjë nuk është reveluar për këtë çështje. Por që nga fillimi i ndarjes deri në përfundim të një viti, dy ose më shumë persona duhet të mbahen të informuar si dëshmitarë; në qoftë se, deri në fund, nuk ka pajtim, bëhet shkurorëzimi. Kjo duhet shënuar në regjistër nga nëpunësi legal fetar i qytetit, i caktuar nga të Besuarit e Shtëpisë së Drejtësisë. Zbatimi i kësaj procedure është thelbësor, në mënyrë që të mos hidhërohen ata që kanë zemër që kupton.
98. PYETJE: Lidhur me konsultimin.PËRGJIGJE: Në qoftë se konsultimi midis grupit të parë të njerëzve të mbledhur përfundon me mospajtim, duhen shtuar njerëz të tjerë, dhe pas kësaj zgjidhen me short një numër personash që është i barabartë me numrin e Emrit Më të Madh, ose më pak a më shumë. Pastaj konsultimi përsëritet dhe përfundimi, cilido qoftë ai, duhet respektuar. Por në qoftë se ka ende mospajtim, e njëjta precedurë duhet përsëritur edhe një herë dhe vendimi i shumicës fiton. Ai, me të vërtetë, çon në rrugë të drejtë cilindo që i pëlqen.
99. PYETJE: Lidhur me trashëgiminë.PËRGJIGJE: Lidhur me trashëgiminë, ajo që ka urdhëruar Pika Parësore – u bëfshin fli për hir të Tij shpirtrat e të gjithëve veç Atij – është e pëlqyeshme. Trashëgimtarët ekzistues duhet të marrin pjesët e trashëgimit që u janë caktuar, ndërsa një deklarim për atë që mbetet i duhet paraqitur Gjyqit të Më të Lartit. Në dorë të Tij është burimi i pushtetit; Ai urdhëron ashtu si i pëlqen. Lidhur me këtë, në Tokën e Misterit është reveluar një ligj që ua jep për¬kohësisht trashëgiminë e trashëgimtarëve që mungojnë trashë¬gim¬tarëve ekzistues, derisa të krijohet Shtëpia e Drejtësisë dhe atëherë do të shpallet dekreti për këtë çështje. Por trashëgimi i atyre që kanë emigruar në të njëjtin vit që emigroi Bukuria e Lashtë u është caktuar trashëgimtarëve të tyre dhe kjo është një bujari e Perëndisë që u dhurohet.
100. PYETJE: Lidhur me ligjin për thesarët e gjetur.
PËRGJIGJE: Në qoftë se gjendet një thesar, një e treta i takon me të drejtë zbuluesit dhe dy të tretat duhet të shpenzohen nga njerëzit e Shtëpisë së Drejtësisë për mirëqenien e të gjithëve. Kjo do të bëhet pas krijimit të Shtëpisë së Drejtësisë dhe deri në atë kohë thesaret e gjetura do t’u besohen për t’i ruajtur personave të besuar në çdo lokalitet e territor. Me të vërtetë, Ai është Sundimtari, Urdhëruesi, i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari.
101. PYETJE: Lidhur me Hukuk-un mbi pasuri të patundshme që nuk sjellin fitim.
PËRGJIGJE: Urdhëri i Perëndisë është që pasuria e patundshme që nuk sjell më të ardhura, domethënë nga e cila nuk merret fitim, nuk i nënshtrohet pagimit të Hukuk-ut. Ai, me të vërtetë, është Sundimtari, Dorëhapuri.
102. PYETJE: Lidhur me vargun e shenjtë: “Në rajone ku dita dhe nata zgjaten, le të maten kohët e lutjes me sahatë...”.
PËRGJIGJE: Nënkuptohen territore të thella. Por në këto klima zgjatja ndryshon vetëm pak orë, prandaj ky rregull nuk zbatohet.
103. Në Tabelën drejtuar Abá Badí‘-ut, është reveluar ky varg i shenjtë: “Me të vërtetë, ne i kemi urdhëruar çdo biri t’i shërbejë të atit”. Ky është dekreti që Ne kemi formuluar në Librin.
104. Dhe në një Tabelë tjetër janë reveluar këto fjalë të lartësuara: O Muhamet! I Lashti i Kohëve e ka kthyer fytyrën ndaj teje, duke të përmendur ty dhe duke i nxitur njerëzit e Perëndisë të edukojnë fëmijët e tyre. Në qoftë se një at lë pasdore këtë porosi tepër të rëndësishme të formuluar në Kitáb-i-Aqdas nga Penda e Sovranit të Përjetshëm, ai do të humbasë të drejtën e atësisë dhe do të konsiderohet fajtor para Perëndisë. Lum ai që i gdhend në zemrën e vet këshillat e Zotit dhe u përmbahet fort atyre. Perëndia, me të vërtetë, u urdhëron shërbëtorëve të Vet atë që do t’i ndihmojë e do t’u sjellë dobi dhe do t’u lejojë atyre të afrohen pranë Tij. Ai është Urdhëruesi, i Pavdekshmi.
105. Ai është Perëndia, lëvduar qoftë, Zoti i madhërisë e i pushtetit! Profetët dhe të Zgjedhurit kanë qenë ngarkuar të gjithë nga i Vetmi Perëndi i Vërtetë, u madhëroftë lavdia e Tij, të ushqejnë pemët e ekzistencës njerëzore me ujërat e gjalla të ndershmërisë e të kuptimit, që të shfaqet ajo që Perëndia ka depozituar në qeniet e tyre më intime. Siç mund të shihet lehtë, çdo pemë prodhon një fryt dhe një pemë shterpë vlen vetëm për zjarr. Qëllimi i këtyre Edukatorëve, në çdo gjë që ata kanë thënë e mësuar, ka qenë të ruajnë pozitën e lartë të njeriut. Lum ai që në Ditën e Perëndisë është mbajtur fort pas porosive të Tij dhe nuk është shmangur nga Ligji i Tij i vërtetë e themelor. Frytet që më shumë i kanë hije pemës së jetës njerëzore janë besueshmëria e përshpirtshmëria, vërtetësia e sinqeriteti; por më e madhja nga çdo gjë, pas njohjes së unitetit të Perëndisë, lëvduar e madhëruar qoftë Ai, është vëmendja për të drejtat që u detyrohemi prindërve. Ky mësim është përmendur në të gjithë Librat e Perëndisë dhe është ripohuar nga Penda Më e Lartësuar. Vëreni atë që Zoti i Mëshirshëm ka reveluar në Kuran, lëvduar qofshin fjalët e Tij: “Adhuroni Perëndinë, mos barazoni me Të as shok e as ngjasim; dhe tregoni përzemërsi e dhembshuri për prindërit tuaj...”. Shihni sesi dashamirësia për prindërit është lidhur me njohjen e të vetmit Perëndi të vërtetë! Lum ata që kanë dhuntinë e urtisë e të të kuptuarit, që shohin e dallojnë, që lexojnë e kuptojnë dhe që vënë re atë që Perëndia ka reveluar në Librat e Shenjtë të së kaluarës e në këtë Tabelë të pashoqe e të mrekullueshme.
106. Në një prej Tabelave Ai, lëvduar qofshin fjalët e Tij, ka reveluar: Dhe për çështjen e Zeqatit Ne kemi dekretuar po kështu që ju të ndiqni atë që është reveluar në Kuran.